Në çështjen gjyqësore ndaj Hashim Thaçi, Bashkim Smakaj, Isni Kilaj, Fadil Fazliu dhe Hajredin Kuçi, të cilët akuzohen për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, është marrë vendim për ndryshimin e kushteve të lirimit me kusht për katër të fundit.
Sipas gjyqtarit të vetëm, Christoph Gosnell, palët kishin kërkuar ndryshimin e kushtit që lidhej me ndalimin e kontaktit dhe diskutimit të çështjes mes bashkë të akuzuarve.
Me vendimin e ri, atyre u lejohet që brenda hapësirave të Dhomat e Specializuara të Kosovës të komunikojnë mes vete dhe të diskutojnë për çështjen, me kusht që temat konfidenciale të mos trajtohen në hapësira publike.
Gjyqtari theksoi se të gjitha kushtet e tjera të vendosura mbeten në fuqi jashtë ambienteve të Dhomave të Specializuara.
Gjykimi pritet të vazhdojë edhe nesër me dëshminë e dëshmitarit Koen Herlaar.




