Kryetari i Komunës së Klinës, Zenun Elezaj, së bashku me drejtorin e Qendrës për Punë Sociale, Ilir Bacaj, kanë pritur në takim drejtorin e projektit në PREDA Plus, Valentin Hoxha, me të cilin u nënshkrua Memorandumi i Bashkëpunimit për realizimin e projektit “E ARDHMJA E SAJ, Fuqizimi i Grave Sipërmarrëse në Kosovë”.
Kryetari Elezaj falënderoi z. Hoxha për nënshkrimin e këtij Memorandumi të Bashkëpunimit dhe theksoi se Komuna e Klinës mbetet e përkushtuar për të mbështetur iniciativa që synojnë aftësimin dhe zhvillimin ekonomik të qytetarëve, si dhe do të përmbushë me përgjegjësi të gjitha obligimet që rrjedhin nga kjo marrëveshje bashkëpunimi.
Ky projekt ka për qëllim aftësimin dhe ofrimin e pajisjeve për bizneset e reja në pronësi të grave, duke kontribuar drejtpërdrejt në rritjen e pjesëmarrjes së grave në jetën ekonomike.
Projekti financohet nga Ministria Gjermane për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (BMZ), zbatohet nga organizata joqeveritare PREDA Plus, në partneritet me WEntrepreneur dhe me mbështetjen e Arbeiter Samariter Bund (ASB) Köln.
Përmes këtij bashkëpunimi synohet fuqizimi i grave në Kosovë përmes zhvillimit të aftësive të tyre në biznes, krijimit të rrjeteve mbështetëse dhe promovimit të një mjedisi të favorshëm për ndërmarrësinë e grave.
Projekti përfshin planifikim strategjik, ngritje kapacitetesh dhe krijimin e hapësirave të dedikuara ku gratë sipërmarrëse mund të lidhen, të mësojnë dhe të zhvillojnë bizneset e tyre, duke kontribuar në barazinë gjinore dhe zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik.




