Në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës ka nisur zbatimi i skriningut neonatal, një metodë moderne që mundëson zbulimin e hershëm të sëmundjeve të rënda te të porsalindurit përmes një pike gjaku.
Që nga tetori i vitit të kaluar janë testuar mbi 2 mijë foshnje, ndërsa dy prej tyre janë diagnostikuar me fibrozë cistike dhe tashmë po marrin trajtim të hershëm.
Kjo metodë lejon identifikimin e pesë sëmundjeve serioze para shfaqjes së simptomave, duke rritur ndjeshëm mundësinë për trajtim të suksesshëm dhe përmirësim të cilësisë së jetës.
Sipas mjekëve, testimi është i thjeshtë dhe i sigurt, ndërsa planifikohet që së shpejti të zgjerohet edhe në spitalet rajonale.




