Sulmuesi i Polonisë, Robert Lewandowski, ka cilësuar përballjen ndaj Shqipërisë në gjysmëfinalen e pley-off-it për Kupën e Botës 2026 si një “finale”. Ai theksoi se objektivi kryesor i ekipit të tij është vetëm fitorja, ndërsa nënvizoi rëndësinë e mbështetjes së tifozëve në stadiumin Kombëtar të Varshavës, ku ndeshja do të luhet të enjten mbrëma.
Lewandowski, i cili ka lindur në Varshavë, e vlerësoi avantazhin e fushës dhe mbështetjen e tifozëve, duke theksuar se ndeshjet në këtë stadium janë gjithmonë të veçanta për të. Pavarësisht se ndeshja luhet në Poloni, sulmuesi i Barcelonës e cilësoi Shqipërinë si një kundërshtar të fortë, duke theksuar se gjithmonë kanë shkaktuar probleme për ekipin polak.
Lewandowski gjithashtu foli për mundësinë që ndeshja të vendoset nga penalltitë, duke pranuar vështirësinë që ato sjellin, madje edhe për lojtarët me përvojë. Ai siguroi se skuadra e tij është gati për të luftuar deri në fund, duke theksuar se nuk ka vend për gabime në këtë “finale” të rëndësishme.




