Të dhënat e fundit nga Agjencia e Statistikave të Kosovës tregojnë se mbi 51% e popullsisë në moshë pune është jashtë tregut të punës, një indikator i dështimit të politikave ekonomike dhe sociale. Me papunësi prej 13.9% dhe mbi 500 mijë qytetarë joaktivë, Kosova po humb kapitalin e saj njerëzor, duke u mbështetur në remitenca dhe konsum, pa një bazë prodhuese të fortë.
Dështimi për të lidhur arsimin me tregun e punës ka krijuar një paradoks: papunësi të lartë dhe mungesë të fuqisë punëtore të kualifikuar. Mbi 65% e grave janë jashtë tregut të punës, duke thelluar pabarazinë gjinore.
Agim Shahini, kryetar i AKB-së, thekson se qeveria duhet të ndërmarrë masa urgjente, duke krijuar politika aktive për punësim, mbështetje për sektorin privat dhe reforma në arsim. Pa veprime të menjëhershme, kriza sociale dhe ekonomike do të thellohet. Kosova ka potencial, por po humb mundësitë për zhvillim për shkak të mungesës së veprimit.




