Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka përkujtuar 27-vjetorin e ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë, duke e cilësuar atë një moment vendimtar që ndaloi masakrat dhe krimet sistematike ndaj popullit shqiptar nga regjimi i Sllobodan Millosheviqit.
Hamza tha se më 24 mars 1999 “bota ndërhyri për të ndalur masakrat”, ndërsa kjo ditë çdo vit nderon heronjtë, dëshmorët dhe martirët e luftës, si dhe shpreh mirënjohje për të gjithë ata që mbështetën të drejtën.
Ai rikujtoi bashkëpunimin mes NATO-s dhe Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), duke përmendur figura kyçe si Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, të cilët sipas tij ishin aleatë tokësorë të NATO-s.
“Bombardimet e NATO-s u koordinuan me UÇK-në dhe aleatët tokësorë, të cilët sot po gjykohen në Hagë, duke harruar arsyen e ndërhyrjes së Aleancës Veriatlantike,” tha Hamza.
Kreu i PDK-së shtoi se mirënjohja ndaj NATO-s mbetet e përjetshme, pasi ndërhyrja e saj vendosi fatin e Kosovës dhe hapi rrugën drejt lirisë.
Ai përmbylli duke thënë se rruga e Kosovës, që nga 24 marsi 1999 e deri sot, mbetet në anën e së vërtetës:
“Ne nuk harrojmë. Ne nderojmë. Dhe mbi të gjitha, vazhdojmë të mbrojmë lirinë që u fitua me shumë sakrificë. NATO, faleminderit përjetësisht!”




