Ministri i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca, ka përkujtuar 28-vjetorin e Epopesë së Dukagjinit, duke e cilësuar 24 marsin 1998 si një nga momentet më vendimtare të rezistencës së armatosur të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Sipas tij, beteja e Gllogjanit dëshmoi se vullneti për liri nuk mund të mposhtet me rrethim apo forcë, duke shënuar një kthesë të rëndësishme në rrjedhën e luftës për çlirim.
Konjufca nderoi sakrificën e dëshmorëve, duke theksuar se qëndresa në Dukagjin u shndërrua në një thirrje për mobilizim në mbarë Kosovën.
Ai shtoi se kujtimi për të rënët mbetet një obligim i përhershëm, ndërsa liria e sotme është rezultat i guximit dhe vetëmohimit të tyre.
Sipas tij, përgjegjësi e institucioneve dhe qytetarëve është forcimi dhe zhvillimi i shtetit me dinjitet.
Në fund, ai shprehu nderime për të gjithë dëshmorët që ranë për lirinë e Kosovës.




