Zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Kreshnik Ahmeti, zhvilloi një takim me homologen e tij nga Republika e El Salvadorit, Adriana Mira, ku u nënshkrua Marrëveshja për Konsultime Politike dhe Memorandumi i Bashkëpunimit në fushën e kulturës.
Sipas një komunikate për media, këto marrëveshje përbëjnë një hap të rëndësishëm drejt thellimit dhe strukturimit të marrëdhënieve dypalëshe, duke krijuar mekanizma të rregullt dialogu dhe bashkëpunimi për çështje me interes të përbashkët.
U dakordua që konsultimet e para politike ndërmjet dy Ministrive të Punëve të Jashtme të mbahen së shpejti në Prishtinë, dhe zëvendësministri Ahmeti ftoi zëvendësministren Mira të vizitojë Kosovën.
Gjatë takimit, palët diskutuan mundësitë e zgjerimit të bashkëpunimit në fusha të tjera, duke përfshirë ekonominë, arsimin, energjinë, turizmin, si dhe heqjen e regjimit të vizave nga El Salvadori për qytetarët e Kosovës.
Po ashtu, zëvendësministri Ahmeti zhvilloi një takim të veçantë me Ministrin e Kulturës së El Salvadorit, Raul Neftalí Castillo Rosales, ku u diskutua për avancimin e bashkëpunimit kulturor, me fokus në shkëmbimin e përvojave dhe ekspertizës në ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore.




