Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka përkujtuar 27-vjetorin e fillimit të bombardimeve të NATO-s mbi objektivat serbe, duke theksuar se kjo ndërhyrje ndryshoi rrjedhën e historisë së Kosovës.
Ajo ka vlerësuar se ndërhyrja erdhi si përgjigje ndaj dhunës së vazhdueshme dhe politikave të regjimit të Sllobodan Millosheviqit ndaj shqiptarëve të Kosovës.
Sipas Haxhiut, 19 vende anëtare të NATO-s, të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, zhvilluan një fushatë ajrore 78-ditore kundër caqeve policore dhe ushtarake serbe.
Ajo theksoi se ndërhyrja ajrore e NATO-s dhe qëndresa e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në terren u ndërthurën në një moment vendimtar për vendin.
Në përfundim, Haxhiu shprehu mirënjohje për rolin e NATO-s, sakrificën e UÇK-së dhe mbështetjen e aleatëve ndërkombëtarë në arritjen e lirisë së Kosovës.




