Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka komentuar sot çështjen e emërimit të anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) nga partitë politike.
Ajo tha se ka kërkuar sqarim nga Gjykata Kushtetuese, pasi disa parti kanë propozuar më shumë anëtarë sesa parashikon Kushtetuta.
Sipas Osmanit, Vetëvendosja ka kërkuar tre anëtarë, por janë emëruar vetëm dy, ndërsa PDK-ja ka kërkuar dy anëtarë, por është emëruar vetëm një.
“Meqenëse kjo çështje nuk është sqaruar ende nga Gjykata Kushtetuese, kam kërkuar që gjykata të japë udhëzime të qarta. Kjo lëndë është ngritur mbi një bazë tjetër kushtetuese sesa rastet e mëparshme, dhe shpresoj që gjykatat ta sqarojnë përfundimisht. Pasi të sqarohet, do të vazhdohet me emërimet,” tha ajo.
Osmani theksoi se Kushtetuesja ende nuk ka marrë vendim dhe se pritja për përgjigje vazhdon. “Rasti është ngritur mbi nenin 113 të Kushtetutës. Nuk është vetëm një anëtar i PDK-së që nuk është emëruar; edhe një i Vetëvendosjes mbetet jashtë. Gjykata duhet të sqarojë mënyrën e veprimit për këtë rast,” tha presidentja.




