Kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, ka kujtuar sot rënien e 49 martirëve në fshatin Brestoc, në shënimin e 27-vjetorit të tyre.
Përmes një postimi në rrjetin social, Latifi shkruan se lufta për liri nuk ka pushuar kurrë, pasi pushtuesit janë zëvendësuar njëri-tjetrin, secili më i egër se tjetri.
“Në Brestoc, kujtuam 49 martirët e vrarë nga pushtuesi serb, së bashku me familjarë, bashkëluftëtarë dhe qytetarë. Në mesin e tyre janë edhe 5 dëshmorë të kombit dhe 6 persona që ende janë të pagjetur,” tha Latifi.
Ai shtoi se fshati Brestoc ka paguar një çmim të lartë për këtë egërsi, por njëkohësisht ka dhënë shumë luftëtarë dhe veprimtarë që kanë nderuar emrin e vendlindjes. Lavdia e dëshmorëve dhe martirëve qëndron si një fllad pranveror mbi këtë vend.
“Lavdi 5 dëshmorëve dhe 49 martirëve të Brestocit, përfshirë edhe 6 të pagjeturit,” përfundoi Latifi.




