Drejtoria Rajonale e Policisë së Kosovës në Gjilan ka nisur zbatimin e planit operativ për kontrollin e motoçikletave, trotineteve, triçikletave, skuterëve dhe mjeteve të tjera motorike që qarkullojnë në kundërshtim me ligjin.
Ky plan synon parandalimin e aksidenteve me pasoja fatale, lëndime trupore dhe dëme materiale, duke rritur sigurinë në komunikacion.
Policia u bën thirrje qytetarëve që të përdorin helmetë dhe pajisje mbrojtëse, të kontrollojnë gjendjen teknike të mjeteve, të respektojnë rregullat e trafikut dhe të shmangin manovrat e rrezikshme, përdorimin e telefonit gjatë ngasjes, si dhe ngasjen nën ndikimin e alkoolit apo drogës.
Qarkullimi në hapësira publike të trotineteve dhe mjeteve të ngjashme është i ndaluar.
Gjatë dy ditëve të fundit, Policia ka përjashtuar 13 motoçikleta dhe trotinete për parregullsi dhe ka shqiptuar 16 gjoba.
Kontrolli dhe veprimet policore do të vazhdojnë deri në një vlerësim të ri të situatës, duke zbatuar tolerancë zero ndaj shkelësve të ligjit.




