Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, rikujton se 27 vjet më parë, në fund të marsit 1999, Krusha e Madhe dhe Krusha e Vogël u bënë dëshmitare të një prej akteve më të rënda të regjimit serb, kur u ekzekutuan pa mëshirë 350 civilë të pafajshëm, përfshirë gra, pleq, fëmijë dhe të rinj.
“Kujtojmë me dhembje edhe 49 martirët e familjes Berisha nga Suhareka, të vrarë mizorisht nga forcat serbe, nga fëmijët e vegjël deri te më të moshuarit, një familje e tërë që u përball me një akt barbarie që tronditi ndërgjegjen njerëzore”, tha Haradinaj.
Ai shtoi se të njëjtin terror e përjetuan edhe 23 shqiptarë nga Landovica e Prizrenit dhe fshatrat përreth, të cilët u ekzekutuan vetëm për shkak të përkatësisë etnike.
“Këto krime mbeten plagë e hapur e historisë sonë dhe thirrje e përhershme për drejtësi. Kujtesa për ta na obligon të mos harrojmë kurrë dhe të kërkojmë që kriminelët të marrin dënimin e merituar”, përfundoi Haradinaj.




