Kryetari i komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, përkujtoi sot 27-vjetorin e masakrës së Krushës së Madhe, ku nga 25 deri më 27 mars 1999, forcat serbe masakruan 243 persona dhe dogjën 893 shtëpi.
Latifi theksoi se sulmi kishte për qëllim vrasjen e burrave, grave dhe fëmijëve dhe se metoda e vrasjes dhe zhdukjes së viktimave ishte e njohur si praktika e kriminelëve serbë. Ai përkujtoi sakrificën e banorëve që mbështetën Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe nënvizoi se gjaku i derdhur forcoi rrënjët e lirisë.
Ai shtoi se shumë persona nga Krusha e Madhe vazhdojnë të jenë të pagjetur dhe se, pavarësisht përfshirjes së masakrës në aktakuzën për krime lufte ndaj Sllobodan Millosheviqit dhe udhëheqësve të tjerë serbë, nuk ka pasur një hetim të plotë.
“Kjo masakër nuk duhet të harrohet, sepse kujtesa është themeli i drejtësisë dhe i lirisë sonë”, tha Latifi./EO/




