Prokuroria Themelore në Prizren njofton se F.N., 46-vjeçar nga fshati Maqitevë i Komunës së Suharekës, i cili ishte në kërkim nga policia, është dorëzuar sot në Policinë e Kosovës.
Rasti lidhet me një aksion të zhvilluar më 16 shtator 2025, gjatë të cilit në një objekt në Maqitevë u zbuluan dhe sekuestruan 512 kilogramë marihuanë në faza të ndryshme të përpunimit dhe tharjes.
Gjatë aksionit janë sekuestruar edhe armë, granatëhedhës, pajisje për kultivim, telefona celularë dhe dy parcela toke.
Sipas dyshimeve, F.N. kultivonte bimë kanabis për prodhim dhe shpërndarje pa autorizim. Ai dyshohet për veprat penale: “Kultivimi i bimës së hashashit, shkurres së kokainës ose bimëve të kanabisit”, “Blerja, posedimi dhe shpërndarja e paautorizuar e narkotikëve” dhe “Mbajtja e armëve pa autorizim”.
I dyshuari ndodhet në ndalim 48-orësh, ndërsa prokuroria ka kërkuar caktimin e paraburgimit. Prokuroria Themelore në Prizren thekson se mbetet e përkushtuar në luftimin e kriminalitetit dhe forcimin e sundimit të ligjit.




