Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka reaguar përmes një komunikate për media, duke kundërshtuar fuqishëm ekspozitën e vendosur në qendër të Prishtinës.
Sipas OVL-së, një ekspozitë e tillë shtrembëron luftën çlirimtare dhe fyen gjakun e derdhur për liri. Paraqitja e viktimave civile si “persona të armatosur”, pikërisht në përvjetorin e bombardimeve të NATO-s, përbën një akt të poshtër moral dhe është e papranueshme.
“Përgjegjësia bie drejtpërdrejt mbi autorët e këtij shtrembërimi dhe mbështetësit e tyre politikë. Faji rëndon edhe mbi çdo institucion që shpenzoi para publike për ta legjitimuar këtë turp. Financimi i kësaj përmbajtjeje nga Kuvendi i Kosovës përbën skandal të pafalshëm, godet të vërtetën historike dhe poshtëron dinjitetin e luftës sonë”, thuhet në reagim.
OVL e UÇK kërkon distancim zyrtar të menjëhershëm nga përmbajtja e ekspozitës dhe llogaridhënie institucionale, duke nënvizuar se askush nuk duhet të njollosë UÇK-në apo sakrificën e popullit shqiptar.




