Drejtori i Drejtorisë për Siguri dhe Emergjenca në Komunën e Prishtinës, Lulzim Fushtica, njoftoi se janë duke u marrë “masat fillestare” pas shembjes së një pjese të asfaltit në segmentin e rrugës “Don Shtjefën Kurti” në kryeqytet. Ndërsa ende nuk është përcaktuar shkaku i saktë i shembjes, autoritetet kanë nisur hetimet dhe kanë ftuar pronarin e një ndërtese afër për intervistim. Fushtica theksoi se “sipas të gjitha gjasave do të inicohet një rast për shkaktim të rrezikut të përgjithshëm.”
Ai shtoi se policia është në vendngjarje dhe se për momentin po merren masat e sigurimit nga ekipet përkatëse, përfshirë Inspektoratin e Ndërtimit dhe kompanitë për ujësjellës dhe energji. Fushtica njoftoi gjithashtu se rruga do të mbetet e mbyllur për një periudhë të gjatë, deri në vlerësimin e plotë të situatës nga inspektorët e ndërtimit.
Për shkak të shembjes, disa lagje të Prishtinës kanë mbetur pa furnizim me ujë, siç është njoftuar nga Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina”.
Nëse konstatohet se ka rrezik për sigurinë e qytetarëve, autoritetet kanë paralajmëruar mundësinë e evakuimit të banorëve të zonës. “Do të marrim masa të menjëhershme nëse ka rrezik për qytetarët dhe do të sigurojmë që të mos ketë rrezik për asnjë moment”, tha ai.




