Shefja e Grupit Parlamentar të LDK-së, Jehona Lushaku, ka deklaruar se nëse VV-së i mungon vullneti për arritjen e një marrëveshjeje politike, LDK-ja është e gatshme për zgjedhje të reja.
Lushaku theksoi se partia e saj e pranon vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe do të vazhdojë të mbajë një qasje bashkëpunuese në dialogun për zgjedhjen e presidentit.
“Ne jemi në një situatë të re, ku Gjykata Kushtetuese ka dhënë interpretimin dhe sqarimet e saj për disa pika. Si parti, e pranojmë vendimin dhe vazhdojmë qasjen tonë bashkëpunuese për të siguruar institucione funksionale në Kosovë.
Përgjegjësinë kryesore e mban partia më e madhe, pa të cilën nuk mund të zgjidhet presidenti,” tha Lushaku.
Ajo shtoi se nëse VV dëshiron një zgjidhje, ajo mund të arrihet, por nëse jo, Kosova do të shkojë drejt zgjedhjeve të reja, për të cilat LDK-ja është e përgatitur dhe e bashkuar.
“Qytetarët kanë votuar që VV të ketë qeverisjen, por jo edhe presidentin,” përfundoi Lushaku.




