Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) ka bërë të ditur se tarifat e energjisë elektrike do të mbeten të pandryshuara deri në përfundimin e procesit të konsultimit publik dhe publikimin e raportit përfundimtar.
Prej dy muajsh, tre operatorët kryesorë të sektorit energjetik në vend – KEDS, KESCO dhe KOSTT – kanë dorëzuar në ZRRE kërkesat për rritjen e tarifave të energjisë, duke propozuar një rritje prej mbi 20 për qind.
Kryetari i Bordit të ZRRE-së, Ymer Fejzullahu, ka theksuar se ende nuk është marrë asnjë vendim përfundimtar. Sipas tij, gjatë javës pritet publikimi i raportit, pas së cilit do të hapet faza e konsultimit publik që zgjat 14 ditë, ashtu siç parashihet me ligj.
Pas kësaj periudhe, palët e interesuara do të kenë mundësi të paraqesin komente dhe ankesa, të cilat do të shqyrtohen para marrjes së vendimit përfundimtar.
Fejzullahu ka sqaruar se edhe pas datës 1 prill, tarifat ekzistuese do të vazhdojnë të mbeten në fuqi deri në përmbylljen e plotë të këtij procesi.
Ndërkohë, KESCO ka arsyetuar kërkesën për rritje të çmimit të energjisë me rritjen e kostove operative dhe nevojën për të siguruar furnizim të qëndrueshëm me energji elektrike gjatë vitit 2026.




