Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, i ka dërguar një kërkesë zyrtare kryetares së Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, duke kërkuar sqarime të detajuara lidhur me financimin dhe organizimin e një ekspozite që, sipas tij, përmban të dhëna të pasakta për luftën në Kosovë.
Në letrën e tij, Tahiri thekson nevojën për rritjen e transparencës dhe forcimin e llogaridhënies ndaj qytetarëve, sidomos kur bëhet fjalë për përdorimin e mjeteve publike në iniciativa që lidhen me çështje të ndjeshme historike dhe të kujtesës kolektive.
Ai kërkon nga institucionet përgjegjëse që të japin një pasqyrë të plotë për shumën e mjeteve financiare të ndara për këtë ekspozitë. Po ashtu, ai kërkon publikimin e datës së shpalljes së thirrjes për aplikim, kriteret e përzgjedhjes, numrin e organizatave aplikuese dhe sqarimin se cili institucion apo komision ka qenë përgjegjës për përzgjedhjen e përfituesve.
Sipas Tahirit, transparenca në menaxhimin e fondeve publike është thelbësore për ruajtjen e besimit të qytetarëve në institucionet shtetërore.




