Afati për deklarimin e pasurisë nga zyrtarët publik përfundon sot në mesnatë, ndërsa drejtori i Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit, Yll Buleshkaj, bën të ditur se mbi 90% e zyrtarëve tashmë e kanë përmbushur këtë obligim.
Buleshkaj njoftoi se rreth 400 zyrtarë ende nuk e kanë filluar deklarimin, ndërsa 530 të tjerë janë në përfundim të tij. Ai paralajmëroi se ata që vonohen pas afatit ligjor do të përballen me gjoba, të cilat arrijnë 30% të pagës mujore, dhe në raste të vonesave më të gjata, mund të ketë edhe hetime penale.
Drejtori theksoi se deklarimi është i thjeshtë dhe për shumicën e zyrtarëve kërkon vetëm disa minuta, pasi të dhënat nga vitet e kaluara tashmë janë të regjistruara në sistem.
Ai u bëri thirrje zyrtarëve që ta kryejnë obligimin pa vonesa dhe të kërkojnë ndihmë nga Agjencia në rast nevoje, përmes telefonit ose emailit.
Buleshkaj paralajmëroi gjithashtu se mosrespektimi i afatit pas gjobës fillestare mund të përfshijë masa më të rënda ligjore, përfshirë aktakuza dhe burg deri në 5 vjet sipas Kodit Penal të Kosovës./EO/




