Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka deklaruar se institucionet e Kosovës kanë një qasje të pakompromis ndaj korrupsionit, duke theksuar se lufta kundër tij është një zotim i përditshëm.
Gjatë një vizite në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit, ajo zhvilloi takim me drejtorin Yll Buleshkaj dhe ekipin e tij, ku u diskutuan mënyrat për forcimin e transparencës, integritetit dhe llogaridhënies në institucionet publike.
Gërvalla theksoi se çdo mekanizëm ligjor dhe parandalues ka për qëllim luftimin e korrupsionit dhe sigurimin e përgjegjësisë për shkelësit, duke nënvizuar rëndësinë e zbatimit të rreptë të legjislacionit.
Ajo bëri të ditur se në takim është diskutuar edhe për avancimin e kornizës ligjore, menaxhimin e konfliktit të interesit dhe thellimin e bashkëpunimit ndërkombëtar, përfshirë iniciativat kundër korrupsionit.
Sipas saj, ratifikimi i Traktatit Rajonal për Shkëmbimin e të Dhënave do të mundësojë verifikimin e pasurisë së zyrtarëve edhe jashtë vendit, duke rritur transparencën dhe llogaridhënien ndërkufitare.
Në fund, Gërvalla theksoi se qytetarët e Kosovës meritojnë institucione të forta dhe të besueshme, ku sundimi i ligjit zbatohet çdo ditë në praktikë.




