Ndërmarrja publike Trepça ka njoftuar për largimin e përkohshëm nga puna të dy punonjësve, me inicialet XH.Q. dhe I.H., për shkak të dyshimeve për shkelje të rënda të detyrave të punës.
Sipas njoftimit zyrtar, vendimi është marrë nga drejtuesit e ndërmarrjes pas pranimit të një raporti, ku dyshohet se punonjësit janë paraqitur në vendin e punës vetëm për evidencë përmes sistemit elektronik, ndërsa më pas kanë lëshuar pa autorizim objektin e flotacionit në Njësinë Biznesore “Minierat me Flotacion Trepça – Stan Tërg”.
Ngjarja dyshohet të ketë ndodhur gjatë datave 30 dhe 31 mars, si dhe 1 prill 2026, duke qenë në kundërshtim me detyrimet dhe përgjegjësitë e tyre të punës.




