Deputeti i LDK-së, Besian Mustafa, ka kërkuar që në rendin e ditës së Komisionit për Buxhet të shtohen tri pika shtesë, duke përfshirë diskutimin për pagën e 13-të dhe çmimet e derivateve të naftës.
Kërkesa e tij u hodh poshtë me tre vota për, asnjë kundër dhe pesë abstenime. Mustafa argumentoi se propozimi erdhi pasi në mbledhje ishte i pranishëm edhe ministri i Financave, Hekuran Murati, dhe theksoi rëndësinë e shqyrtimit të çmimeve të naftës, pagave të 13-ta për RTK-në dhe sektorin shëndetësor.
Kryetari i Komisionit nga LVV, Enver Haliti, u shpreh se këto pika mund të diskutohen në seancën e jashtëzakonshme që LDK-ja ka thirrur për të premten.
Ai tha se sipas praktikave të mbledhjeve të jashtëzakonshme, rendi i ditës është i paracaktuar dhe nuk lejohet përfshirja e pikave të tjera, duke siguruar se deputetët do të kenë mundësi të debatojnë këto tema në seancën e ardhshme.




