Ministrja e Industrisë, Tregtisë, Ndërmarrësisë dhe Inovacionit Mimoza Kusari u takua me Ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves, për të forcuar partneritetin ndërmjet dy vendeve dhe për të nxitur investimet dhe zhvillimin ekonomik.
Në fokus të diskutimeve ishin mundësitë për nxitjen e investimeve nga diaspora dhe pozicionimi i Kosovës si destinacion konkurrues për industri dhe ndërmarrësi.
Kusari prezantoi zhvillimin e 12 zonave industriale të gjelbërta, që do të ofrojnë kosto të ulëta operimi, qira afatgjata dhe infrastrukturë moderne, si dhe përfitime nga partneritetet publiko-private.
Bashkëpunimi me Britaninë e Madhe shtrihet në sektorë kyç si energjia, minierat, teknologjia dhe mbrojtja, duke synuar zgjerimin e mundësive për produktet kosovare dhe tërheqjen e investimeve.
Kusari theksoi përkushtimin e qeverisë për reformë ligjore, efikasitet energjetik dhe zhvillim të qëndrueshëm ekonomik në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian dhe përgatitjet për CBAM 2027.




