Kreu i opozitës, Sali Berisha, ka akuzuar qeverinë për taksat e larta dhe rritjen e çmimeve të naftës, duke paralajmëruar dorëzimin në Kuvend të ligjeve mbrojtëse për qytetarët.
Berisha theksoi se Bordi i Transparencës ka vendosur rritjen e çmimit të naftës me 6 lekë për litër, duke e çuar atë në 224 lekë, edhe pas uljes së akcizës me 20% nga qeveria. Ai theksoi se çmimi pa këtë ulje do të ishte 233 lekë për litër. Benzina mbetet e pandryshuar në 181 lekë për litër, ndërsa çmimi i gazit mund të luhatet sipas operatorëve të tregut.
Sipas Berishës, përveç akcizës, në çmimin e një litri nafte përfshihen edhe tre taksa të tjera: taksa e qarkullimit (27 lekë), akciza fikse dhe taksa e karbonit (3 lekë), mbi të cilat llogaritet TVSH-ja 20%. Ai akuzoi qeverinë për barrën fiskale të lartë që ndikon drejtpërdrejt tek qytetarët.




