Me ftesë të kryetarit të Gjykatës Supreme të Kosovës, Fejzullah Rexhepi, është mbajtur një tryezë diskutimi me pjesëmarrjen e gjyqtarëve të degës penale të kësaj gjykate, kryetarëve të gjykatave, si dhe gjyqtarëve udhëheqës të degëve penale nga gjykatat themelore dhe Gjykata e Apelit.
Fokusi i diskutimit ishte unifikimi i praktikës gjyqësore në çështjet procedurale penale, me theks të veçantë në caktimin dhe vazhdimin e masës së paraburgimit, si dhe respektimin e standardeve ligjore në këtë proces.
Gjatë tryezës u theksua rëndësia e respektimit të afateve ligjore nga prokuroritë, duke nënvizuar se kërkesat për vazhdim të paraburgimit duhet të paraqiten brenda afatit prej pesë ditësh para skadimit të masës, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Po ashtu, u diskutua nevoja që kërkesat për paraburgim të mbështeten në prova konkrete dhe jo vetëm në raporte policore, si dhe obligimi i prokurorit për të siguruar dokumentacion të plotë dhe të saktë.
Kryetari Rexhepi theksoi se kërkesat për paraburgim duhet të përmbajnë arsyetime të qarta dhe specifike, duke sqaruar pse masat alternative nuk janë të mjaftueshme. Në këtë drejtim, edhe gjyqtari Agim Maliqi kërkoi që gjykatat të shmangin formulimet e përgjithshme dhe të paraqesin baza konkrete për vendimet e tyre.
Në përfundim, u vlerësua se diskutime të tilla kontribuojnë në unifikimin e praktikës gjyqësore dhe në forcimin e sundimit të ligjit në procedurat penale.




