Policia e Kosovës, përmes njësive të Drejtorisë Rajonale të Policisë Kufitare – Jugu, ka identifikuar dhe ndaluar një automjet me targa të Serbisë që kishte hyrë ilegalisht në territorin e Republikës së Kosovës.
Automjeti, i drejtuar nga një shtetas i Serbisë, është ndaluar në magjistralen Bujanoc–Gjilan. Gjatë kontrollit, policia ka gjetur mallra të kontrabanduara – pajisje elektronike për avullim (cigare elektronike/vape).
Në total janë sekuestruar 275 copë, të markave të ndryshme, për të cilat i dyshuari nuk posedonte dokumentacion përcjellës.
Lidhur me rastin është iniciuar procedurë për veprën penale “kontrabandim me mallra”, ndërsa mallrat e sekuestruara janë proceduar në Doganën e Kosovës për veprime të mëtejme.
Policia e Kosovës ka bërë të ditur se do të vazhdojë angazhimin në luftimin e kontrabandës dhe aktiviteteve të tjera të kundërligjshme.




