Një person është arrestuar nga Policia e Kosovës nën dyshimin për kryerjen e krimeve të luftës kundër popullsisë civile, ndërsa gjatë kontrollit janë sekuestruar armë, municion dhe uniformë të MUP-it.
Hetuesit nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Luftës, me urdhër të Prokurorisë Speciale të Kosovës, kanë arrestuar A.D., i dyshuar për veprën penale “krime lufte kundër popullsisë civile”.
Ai dyshohet se ka kryer këto krime në fshatin Ivajë dhe zonat përreth në Komunën e Kaçanikut.
Gjatë zbatimit të urdhërkontrollit janë konfiskuar një armë, dy karikatorë, 30 fishekë, një armë gjuetie ajrore dhe uniformë e MUP-it.
Prokuroria Speciale dhe Policia e Kosovës riafirmuan përkushtimin e tyre për ndjekjen penale dhe hetimin e të gjitha rasteve të krimeve të luftës në vend.




