Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu ka marrë zyrtarisht detyrën si ushtruese e detyrës së presidentes së Kosovës, duke e pasuar Vjosa Osmani.
Ajo theksoi se këtë rol të përkohshëm do ta ushtrojë me përkushtim dhe profesionalizëm maksimal. Haxhiu kujtoi se ushtrimi i kësaj detyre nuk mund të zgjasë më shumë se gjashtë muaj, duke shprehur shpresën që Kuvendi ta zgjedhë sa më shpejt presidentin e ri.
Sipas saj, vonesat në këtë proces mund të çojnë në situata të padëshirueshme, përfshirë zgjedhje të jashtëzakonshme, të cilat nuk do të ishin në interes të qytetarëve dhe shtetit, sidomos duke pasur parasysh sfidat aktuale.
Ajo u bëri thirrje deputetëve dhe grupeve parlamentare që të lënë mënjanë dallimet politike dhe të përmbushin këtë obligim kushtetues sa më parë.
Haxhiu gjithashtu vlerësoi bashkëpunimin me Osmanin, duke i uruar suksese në angazhimet e saj të ardhshme dhe duke shprehur gatishmëri për bashkëpunim të mëtejmë.




