Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka paraqitur kërkesë në Gjykatë Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit A.D., i dyshuar për veprën penale “krim i luftës kundër popullsisë civile”.
Sipas prokurorisë, i dyshuari, në cilësinë e pjesëtarit të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë (MUP) dhe polic i trafikut në rajonin e Kaçanikut, më 9 mars 1999, në bashkëkryerje me forca të tjera serbe, mori pjesë në një aksion kundër popullsisë civile shqiptare në fshatin Ivajë dhe zonat përreth.
Gjatë këtij aksioni, banorët u detyruan të largohen nga shtëpitë e tyre, të cilat më pas u dogjën dhe u shkatërruan, ndërsa 91 meshkuj u ndanë nga rreth 400 civilë dhe u dërguan në stacionin policor në Kaçanik.
Prokuroria njofton se 13 civilë u ndaluan dhe u torturuan në mënyrë çnjerëzore nga i pandehuri, duke pësuar lëndime të rënda trupore dhe psikike.




