Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka kritikuar kryeministrin Albin Kurti për qasjen ndaj procesit të zgjedhjes së presidentit.
Në emisionin “Debat Plus”, Haradinaj tha se zhvillimet aktuale tregojnë se Kurti nuk e ka trajtuar këtë çështje me seriozitet dhe nuk e ka pasur prioritet që nga fillimi i mandatit.
Sipas tij, nëse zgjedhja e presidentit do të ishte e rëndësishme për Kurtin, marrëveshjet politike do të ishin arritur që në fazën e formimit të qeverisë, duke përfshirë edhe partitë e tjera në bashkëqeverisje.
Haradinaj shtoi se, në këto rrethana, vendi rrezikon të përfundojë në zgjedhje të reja.




