Nxjerrja ilegale e thëngjillit në disa fshatra të Vushtrrisë po shkakton dëme serioze mjedisore dhe po rrezikon jetën e banorëve.
Sipas Prokurorisë në Mitrovicë, rasti është në fazë hetimore, ku janë identifikuar disa persona të dyshuar, tre prej të cilëve ndodhen në paraburgim, ndërsa ndaj të tjerëve po vazhdon procedura e rregullt.
Aktiviteti i paligjshëm është zhvilluar në fshatrat Bivolak, Strofc dhe Zhilivodë, ku gjatë aksionit janë sekuestruar katër ekskavatorë, gjashtë kamioneta dhe një traktor.
Autoritetet theksojnë se nxjerrja e pakontrolluar e thëngjillit ka degraduar rëndë tokën, duke krijuar rrezik për banorët, ndërsa në të kaluarën janë regjistruar edhe raste fatale.
Institucionet kanë paralajmëruar masa të vazhdueshme për ndalimin e këtij aktiviteti dhe rikthimin e zonave të dëmtuara.




