Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka shprehur mbështetje për protestën e studentëve shqiptarë në Maqedonin e Veriut, duke e cilësuar atë si reagim të fuqishëm ndaj cenimit të të drejtave themelore.
Në një postim në rrjetin social Facebook, Haradinaj deklaroi se protesta përbën një thirrje ndërgjegjeje për të gjithë ata që, sipas tij, ndërhyjnë në politika që nuk u takojnë dhe që ndikojnë në përçarjen e faktorit shqiptar.
Ai theksoi se e drejta për përdorimin e gjuhës shqipe është e garantuar dhe nuk duhet të vihet në diskutim, duke e cilësuar çdo përpjekje për ta cenuar si shkelje të të drejtave themelore.
Haradinaj u rreshtua në mbështetje të studentëve, duke theksuar se kërkesat e tyre janë legjitime dhe meritojnë përkrahje të gjerë. Ai shtoi se çdo pengesë ndaj përdorimit të gjuhës shqipe do të mbetet në gjykimin e historisë.
Në fund, ai ritheksoi solidaritetin me studentët, duke u shprehur në mbështetje të qëndresës dhe kërkesave të tyre.




