Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar një muaj paraburgim ndaj A.D., pjesëtari i MUP-it, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Krim lufte kundër popullsisë civile” gjatë vitit 1999 në fshatin Ivajë dhe zonat përreth në Kaçanik.
Sipas Prokurorisë Speciale të Kosovës, i pandehuri, në bashkëkryerje me persona të paidentifikuar, ka detyruar banorët të largohen nga shtëpitë e tyre, të cilat më pas janë djegur dhe shkatërruar.
Gjithashtu, 91 meshkuj u ndanë nga grupi prej rreth 400 civilësh dhe 13 prej tyre u ndaluan, rrahën dhe torturuan në mënyrë çnjerëzore, duke shkaktuar lëndime të rënda trupore.
Zëdhënësja e Gjykatës Themelore, Mirlinda Gashi, konfirmoi vendimin për paraburgim, i cili është caktuar për kohëzgjatje prej 30 ditësh.




