Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) njofton se ka nisur ofrimin e shërbimit për ndërrimin e qendrës së votimit brenda komunës, edhe në periudhë jozgjedhore. Ky shërbim ofrohet në bazë të Ligjit Nr. 08/L-228 për Zgjedhjet e Përgjithshme dhe ka për qëllim lehtësimin e votuesve për të caktuar qendrën e votimit më afër vendbanimit të tyre.
Votuesit mund të verifikojnë ose ndryshojnë qendrën e votimit:
1. Përmes platformës elektronike të KQZ-së: [https://qv.kqz-ks.org](https://qv.kqz-ks.org)
2. Duke paraqitur kërkesën në Komisionin Komunal të Zgjedhjeve në komunën ku janë të regjistruar.
Pas paraqitjes së kërkesës, ajo trajtohet brenda një afati të shkurtër dhe votuesi njoftohet me kohë.
KQZ sqaron se ndërrimi i qendrës së votimit nga një komunë në një komunë tjetër nuk mundësohet direkt, pasi lidhet me ndryshimin e adresës së vendbanimit.
Votuesit që duan të ndryshojnë komunën e qendrës së votimit duhet të përditësojnë adresën e tyre në Zyrën e Gjendjes Civile ose në platformën E-Kosova. Pas konfirmimit të adresës së re, ajo reflektohet në Regjistrin Qendror Civil dhe në Listën Votuese të KQZ-së.




