Presidenti amerikan, Donald Trump, ka paralajmëruar vendet që furnizojnë Iranin me armë, duke thënë se Shtetet e Bashkuara do të vendosin tarifa prej 50% mbi mallrat e tyre. Ky paralajmërim vjen pak orë pas arritjes së një armëpushimi dyjavor.
Në një postim në Truth Social, Trump shkroi se çdo vend që shet armë për Iranin do të përballet me masa të menjëhershme ekonomike nga SHBA-ja.
“Një vend që furnizon Iranin me armë ushtarake do të tarifohet menjëherë me 50% për çdo mall të shitur në Shtetet e Bashkuara. Nuk do të ketë përjashtime”, tha ai.
Deklarata e Trump erdhi pak minuta pas një postimi tjetër në Truth Social, ku bëri të ditur se SHBA-ja do të bashkëpunojë me Iranin për të “gërmuar dhe hequr” uraniumin e pasuruar, i cili u varros pas sulmeve të përbashkëta SHBA-Izrael verën e kaluar.
Megjithatë, Irani nuk ka konfirmuar ende këtë deklaratë të presidentit amerikan.




