Komisioni për Buxhet ka miratuar sot projektligjin për shërbimet e pagesave, i cili synon të përmirësojë sigurinë, të nxisë konkurrencën dhe inovacionin, si dhe të ulej kostoja e shërbimeve bankare dhe transfereve ndërkombëtare.
Ministri i Financave, Hekuran Murati, tha se projektligji harmonizohet me direktivat dhe rregulloret e Bashkimit Evropian dhe krijon mundësinë që ofruesit e shërbimeve të pagesave të përfshihen në Zonën e Vetme të Pagesave në Euro (SEPA).
“Ky ligj do të lehtësojë përfshirjen e Kosovës në SEPA, duke sjellë standardizim dhe ulje të ndjeshme të kostove për transfere ndërkombëtare,” tha Murati.
Kryetari i Komisionit për Buxhet, Enver Haliti, e pyeti ministrin për ndikimin konkret të këtij projektligji në kosto. Murati u shpreh se me integrimin në SEPA, pagesat ndërkombëtare do të shtrenjtohen shumë më pak.
“Aktualisht, bizneset dhe familjet kosovare paguajnë rreth 58 milionë euro më shumë për transfere ndërkombëtare sesa do të paguanin pas integrimit në SEPA. Për bizneset, kjo shifër është rreth 28–29 milionë euro, ndërsa pjesa tjetër për familjet. Kostot për transfere ndërkombëtare do të uleshin nga disa qindra euro në vetëm disa euro,” tha Murati, duke përmendur vende si Zvicra dhe Gjermania, si dhe rajonin.
Projektligji gjithashtu krijon kornizë të qartë ligjore dhe teknike për shërbimet e pagesave brenda Kosovës, duke synuar transpozimin e plotë të direktivave relevante të BE-së dhe Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit./eo/




