Gjendja e liqenit akumulues në Mitrovicë është përkeqësuar gjatë dy viteve të fundit, duke ngritur shqetësime për mjedisin dhe shëndetin publik. Për këtë arsye, institucionet lokale së bashku me Klubin e Zhytjes “Trepça” kanë ndërmarrë disa aksione pastrimi.
Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Faton Peci, ka bërë të ditur se është formuar edhe një task-forcë që do të merret me përmirësimin e gjendjes së liqenit dhe kthimin e tij në një hapësirë të pastër dhe atraktive për qytetarët.
Në këto aksione janë përfshirë edhe organizata vullnetare, ndërsa qytetarët kanë vlerësuar ndryshimet dhe përpjekjet për pastrimin e zonës përreth lumit Ibër dhe liqenit akumulues.




