Komandanti i misionit të KFOR-it të udhëhequr nga NATO, gjeneralmajor Özkan Ulutaşh, ka kryesuar ceremoninë e Transferimit të Autoritetit të Batalionit të Inteligjencës, Mbikëqyrjes dhe Zbulimit (ISR), e cila u mbajt në selinë e KFOR-it në Kampin Film City në Prishtinë.
Gjatë ceremonisë, nënkoloneli Andrea Scibelli ia dorëzoi detyrën nënkolonelit Roberto Maestri, duke përmbyllur një mandat të vlerësuar lart.
Në fjalën e tij, gjeneralmajor Ulutaşh shprehu mirënjohje për punën dhe profesionalizmin e Scibellit, duke theksuar rolin e rëndësishëm që ai dhe Batalioni ISR kanë pasur në suksesin e misionit të KFOR-it.
Ai gjithashtu i uroi mirëseardhje komandantit të ri, Maestri, duke rikonfirmuar përkushtimin e vazhdueshëm të KFOR-it për garantimin e një mjedisi të sigurt për të gjithë qytetarët në Kosovë.




