Deputeti i Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Avdullah Hoti, ka reaguar ndaj miratimit në parim të Projektligjit për Masat e Përkohshme të Produkteve Themelore, i njohur si ligji për çmimet tavan.
Ky projektligj u miratua më 10 prill në lexim të parë nga Kuvendi i Kosovës me 63 vota për.
Hoti e ka cilësuar këtë nismë ligjore si të papërmirësueshme përmes amendamenteve, duke theksuar se ajo nuk është në përputhje me parimet e tregut të lirë dhe nuk mund të rregullohet me ndryshime gjatë shqyrtimit në Kuvend.
Sipas tij, masat e propozuara nuk do ta mbrojnë konsumatorin, por mund të dëmtojnë bizneset dhe të mos arrijnë qëllimin e synuar nga Qeveria.
Ai ka kritikuar gjithashtu mungesën e debateve publike dhe konsultimeve me akterët ekonomikë, duke ngritur shqetësime për mënyrën se si synohet të arrihet mbrojtja e konsumatorit përmes këtij projektligji.




