Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka njoftuar se ka nisur transferimi i mjeteve financiare në kuadër të Planit të Rritjes së Bashkimit Evropian për Kosovën.
Sipas tij, bëhet fjalë për një shumë prej 61.8 milionë eurosh si parafinancim, pas ratifikimit të marrëveshjeve mes Kosovës dhe Komisionit Evropian. Nga kjo shumë, rreth 29 milionë euro janë transferuar si kredi direkte në buxhetin e shtetit.
Pjesa tjetër, rreth 33 milionë euro, do të kanalizohen përmes Kornizës së Investimeve për Ballkanin Perëndimor (WBIF), prej të cilave 17.73 milionë euro janë grante, ndërsa 15.31 milionë euro kredi.
Kurti theksoi se Kosova mbetet e përkushtuar në zbatimin e Agjendës së Reformave dhe në shfrytëzimin e mundësive që ofron Plani i Rritjes. Ai shtoi se institucionet po ndërmarrin hapat e nevojshëm për përmbushjen me kohë të obligimeve, duke e cilësuar këtë si një agjendë të përbashkët mes ekzekutivit, gjyqësorit dhe Kuvendit.
Në fund, kryeministri shprehu mirënjohje ndaj Bashkimit Evropian për mbështetjen dhe theksoi angazhimin e institucioneve për realizimin e hapave të radhës në këtë proces.




