Inspektorati i Ministrisë së Punës dhe Familjes ka nisur një aksion të gjerë kontrollesh në kantieret e ndërtimit në disa qytete, pas rritjes së rasteve të lëndimeve dhe humbjeve të jetës në vendpunishte.
Gjatë inspektimeve në Lipjan, punimet në një ndërtesë banesore janë ndalur përkohësisht, pasi u konstatuan mungesa të theksuara të masave të sigurisë për punëtorët.
Inspektori Bujar Xhelili bëri të ditur se objekti nuk ishte i pajisur me skele dhe nuk ishin siguruar hapësirat e rrezikshme, përfshirë ato të ashensorit dhe zonat në lartësi.
Mangësi janë evidentuar edhe në një tjetër objekt në rrugën “Mbreti Zog”, ku sipas inspektorit Senad Muqaku janë shqiptuar masa për përmirësimin e kushteve të sigurisë.
Kontrolle të ngjashme janë zhvilluar edhe në Mitrovicë dhe Gjilan, në kuadër të përpjekjeve për rritjen e sigurisë në punë.




