Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka emra të shumtë që mund të propozohen për postin e presidentit të Kosovës, nëse arrihet një marrëveshje politike mes LDK-së dhe Lëvizjes Vetëvendosje.
Megjithatë, sipas nënkryetarit të LDK-së, Lutfi Haziri, partia nuk do të propozojë asnjë emër pa një ujdi të qartë politike mes dy subjekteve.
Në një intervistë për KosovaPress, Haziri tha se LDK nuk e mbështet asnjë kandidat të Vetëvendosjes dhe se mundësitë për një emër konsensual janë shteruar.
Ai kritikoi thirrjet publike të Vetëvendosjes drejtuar opozitës për të propozuar kandidatë, duke i cilësuar si “lojë fjalësh” dhe përpjekje për të krijuar fajtorë publikë në rast dështimi.
“Nëse flasim për një emër konsensual, tashmë janë shteruar mundësitë për një zgjidhje që përfshin të gjitha partitë. Aktualisht po flitet vetëm për një marrëveshje LDK–LVV. Ne nuk kemi hyrë përtej këtij kuadri dhe nuk kemi marrëveshje me askënd tjetër,” deklaroi Haziri.
Ai shtoi se LDK është e hapur për zgjidhje politike, por vetëm nëse ka dakordim të ndërsjellë dhe serioz mes palëve.
Sipas tij, takimet mes kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, dhe kryeministrit Albin Kurti, janë të fokusuara vetëm në çështjen e presidentit, pa u diskutuar emra konkretë.
“Në asnjë takim nuk është kërkuar apo diskutuar ndonjë emër. Kjo është vetëm lojë politike me fjalë. Nëse ka vullnet për zgjidhje, duhet të ketë marrëveshje të qartë politike,” tha ai.




