Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka reaguar ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për ndryshimin e përbërjes së Komisionit për Dhënien e Provimit të Jurisprudencës, duke e cilësuar atë si të kundërligjshëm.
Sipas IKD-së, anëtarët aktualë të komisionit kanë mandat deri në dhjetor dhe ndryshimi i tyre nuk ka bazë ligjore, duke cenuar parimin e ligjshmërisë dhe sigurisë juridike.
IKD thekson gjithashtu se mosshpallja e afateve për provim nga Ministria e Drejtësisë që nga prilli 2025 ngre dyshime për ndërhyrje në proces.
Instituti i bën thirrje Kuvendit të Kosovës që të mos e miratojë vendimin, duke shtuar se duhet ruajtur besueshmëria dhe pavarësia e komisionit.
Po ashtu, IKD ngre dilema për përbërjen e re të komisionit, duke përmendur rastin e kryesuesit të propozuar dhe mundësinë e konfliktit të interesit, çështje që sipas tij duhet të trajtohet nga Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit.




