Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka theksuar se zhvillimi i qëndrueshëm dhe rritja ekonomike nuk ndodhin rastësisht, por varen nga institucione funksionale dhe politika të mirëfillta, gjatë shënimit të Ditës Botërore të Inovacionit dhe Kreativitetit.
Në aktivitetin e organizuar nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Kurti tha se investimi në dije dhe shndërrimi i saj në vlerë ekonomike është kyç për mirëqenien e shoqërisë.
Ai shtoi se Kosova ka potencial të madh njerëzor dhe diasporë të fuqishme, por sfida mbetet krijimi i një sistemi që i shndërron idetë në produkte dhe zhvillim ekonomik.
Ministrja Mimoza Kusari-Lila theksoi se Kosova mund të bëhet lider rajonal në inovacion, ndërsa nënvizoi nevojën për politika dhe ligje që mbështesin ndërmarrësinë dhe teknologjinë.
Ministrja e Kulturës, Saranda Bogujevci, foli për rolin e kulturës në ndërtimin e identitetit dhe të ardhmes së vendit.
Ndërsa përfaqësuesi i BE-së në Kosovë, Hubert Perr, tha se suksesi në inovacion varet nga puna e vazhdueshme, arsimi cilësor dhe aftësia për të zhvilluar ide në praktikë.




