Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka pritur në takim shefen në detyrë të Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Eva Palatova.
Sipas njoftimit të LDK-së, në takim u diskutua për zhvillimet e fundit politike në vend, me fokus të veçantë në proceset negociuese dhe situatën aktuale institucionale.
Abdixhiku ka theksuar se, pavarësisht angazhimit dhe qëndrimeve të LDK-së në mbrojtje të parimeve demokratike, proceset politike deri tani nuk kanë sjellë rezultatet e pritshme.
Ai nënvizoi nevojën urgjente për stabilitet institucional, përgjegjësi politike dhe ndërtimin e një alternative të qëndrueshme që u përgjigjet pritjeve të qytetarëve për zhvillim dhe mirëqenie.
Po ashtu, Abdixhiku shprehu mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës, duke vlerësuar rolin e BE-së në forcimin e demokracisë, sundimit të ligjit dhe avancimin e agjendës evropiane të vendit.




