Projektligji për masat e përkohshme për produktet themelore në raste të destabilizimit të tregut konsiderohet një mekanizëm i domosdoshëm për mbrojtjen e konsumatorëve dhe garantimin e konkurrencës së drejtë.
Kështu ka deklaruar deputetja Rozeta Hajdari, njëherësh ish-ministre e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë. Sipas saj, projektligji nuk synon kontrollin e tregut apo ndërhyrjen në importe dhe politika anti-dumping, por adreson vetëm eliminimin e marzhave të pajustifikuara tregtare.
Ajo theksoi se ligji është në përputhje me praktikat e vendeve të tjera dhe shërben për menaxhimin e situatave të destabilizimit në treg. “Si shtet nuk mund ta kontrollojmë inflacionin, por mund të ndërhyjmë në rastet kur ka rritje të pajustifikuara të çmimeve nga tregtarë të caktuar,” u shpreh Hajdari, duke shtuar se projektligji fokusohet vetëm në produkte bazë si buka, uji, mishi dhe qumështi.
Hajdari rikujtoi se një përpjekje e mëhershme për rregullimin e marzhave u rrëzua nga Gjykata, por projektligji i ri është hartuar duke marrë parasysh rekomandimet e saj. Ai parasheh krijimin e një bordi të përkohshëm dhe të pavarur, i cili do të bashkëpunojë me Autoritetin e Konkurrencës, Ministrinë e Industrisë dhe ekspertë të pavarur të zgjedhur nga Kuvendi.
Duke folur për sektorin e derivateve të naftës, Hajdari sqaroi dallimin mes marzhës tregtare dhe marzhës së fitimit. Ajo theksoi se ndërhyrjet e institucioneve nuk kanë prekur fitimet e bizneseve, por vetëm çmimet shitëse në treg.
“Marzha e fitimit lidhet drejtpërdrejt me të ardhurat e biznesit, ndërsa marzha tregtare përcakton çmimin shitës. Ne nuk kemi vendosur çmime maksimale për fitimin, por kemi përcaktuar marzha të arsyeshme tregtare, duke marrë parasysh shpenzimet operative si qiraja, paga dhe energjia,” tha ajo.
Sipas Hajdarit, vendimet për marzhat janë marrë në konsultim me përfaqësuesit e industrisë së naftës dhe janë përshtatur sipas kërkesave të tregut, me qëllim ruajtjen e balancës mes interesit të bizneseve dhe mbrojtjes së konsumatorëve.




