Një nxënës 15-vjeçar në Shtime ka treguar gjest të lartë ndershmërie pasi ka dorëzuar në polici paratë që kishte gjetur në rrugë.
Sipas Policisë së Kosovës, i mituri N.SH. kishte gjetur shumën prej 180 eurosh në rrugën “Tahir Sinani” dhe pa hezitim është paraqitur në stacionin policor për t’i dorëzuar.
Pas verifikimeve të kryera nga zyrtarët policorë, është identifikuar pronarja e parave, qytetarja F.H. nga Shtimja, së cilës i është kthyer shuma në prezencë të policisë.
Policia Rajonale në Ferizaj ka vlerësuar veprimin e nxënësit, duke e cilësuar si shembullor dhe dëshmi të edukatës së mirë qytetare.
Po ashtu, është inkurajuar bashkëpunimi i qytetarëve me institucionet e rendit në raste të ngjashme.




