Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, ka deklaruar se partia e saj është e gatshme për zgjedhjen e presidentit dhe se procesi varet nga pjesëmarrja e opozitës.
Ajo tha se kryeministri Albin Kurti ka bërë propozime për tejkalimin e ngërçit politik dhe ka shprehur gatishmëri për marrëveshje me partitë opozitare.
“Ne jemi të gatshëm dhe të vullnetshëm për të votuar presidentin në cilëndo seancë që caktohet, por pyetja duhet t’u drejtohet edhe partive të tjera nëse do të marrin pjesë”, tha Nagavci.
Ajo shtoi se Vetëvendosje ka ofruar edhe emrin e Glauk Konjufcës për president dhe e cilësoi atë si figurë të përshtatshme për këtë post.
Nagavci theksoi gjithashtu se propozimet e VV-së, sipas saj, janë transparente dhe politike, duke mohuar se bëhet fjalë për “pazare politike”.




